Propozimi për çmimin e ri të energjisë elektrike tashmë është tek Komisioni Rregullator Energjetik (KRRE), pasi që të hënën e ka dorëzuar furnizuesi universal EVN Home.
Komisioni i cili udhëhiqet nga Marko Bislimovski duhet të japë vendimin dhe nesër (ditën e martë) të njoftojë nëse dhe sa do të rritet çmimi i rrymës.
Përderisa çmimi i ri po zien dhe Bislimovski pretendon se nuk do të ketë goditje çmimi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi u shpreh optimist dhe beson se rryma nuk do të shtrenjtohet.
Përkundër kërkesave të Elektrodistribucës dhe MEPSO-s për rritje prej 13.4 për qind dhe operatorit MEMO për gati 36 për qind, optimizmi i ministrit vjen nga të dhënat financiare që ka për kompanitë energjetike.
E reja është tarifa e aksesit në rrjet, e cila do të futet nga janari dhe që do ta paguajnë ata që kanë matës dhe nuk konsumojnë energji elektrike. Me këtë, pritet që një numër i madh i qytetarëve të zvogëlojnë sasinë për bartje dhe shpërndarje, e cila deri më tani ishte më e lartë se sa energjia e konsumuar për shumë njerëz. Në këtë mënyrë, thotë Bekteshi, do të vendoset drejtësi në shpërndarjen e kësaj kostoje.
Ministri i Ekonomisë Bekteshi bëri të ditur sot se për shkak të çmimeve të favorshme në bursa dhe gjendjes së mirë të prodhuesve vendas, nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike as gjatë vitit në vazhdim.