Ministri i Financave, Fatmir Besimi, pret rritje të pagave dhe ulje të numrit të të papunëve me buxhetin e vitit 2024. Propozimi i qeverisë, i cili peshon 5,5 miliardë euro rekorde, filloi të diskutohet në një seancë plenare në Parlament. Sipas Besimit, rritja e çmimeve, ose inflacioni i vitit të ardhshëm pritet të jetë 3,6 për qind, dhe ai gjithashtu zbuloi parashikimet për rritjen e ekonomisë.
“Sa i përket parashikimeve makroekonomike, ky projektbuxhet para jush parashikon një rritje ekonomike prej 3,4 për qind. Kontributi në këtë rritje është për shkak të investimeve bruto, që parashikohen të rriten me 4,8% në vitin e ardhshëm dhe gjithashtu do të ketë rritje të konsumit të brendshëm”, tha Fatmir Besimi- Ministër i Financave.
Opozita akuzoi se ishte një buxhet megaloman, që do të kontribuonte në rritjen e borxhit publik. Me të, siç thonë ata, rritja e parashikuar e pagave do të ishte e mundur vetëm me punësimet e reja të partive.
“Ky buxhet është më i larti në histori, bazuar në parashikime joreale, inflacioniste, parazgjedhore, që do të shërbejë vetëm për të pasuruar më tej elita të caktuara, dhe nuk do të shërbejë për të pasuruar burimet shtetërore dhe qytetarët”, u shpreh Bojan Stojanovski- deputet i VMRO-DPMNE-së.
Më 18 dhjetor, Qeveria përcaktoi tekstin e projektbuxhetit, dhe përfshiu ndryshimet e miratuara pas diskutimeve në komisionet amë. Gjatë debatit për amendamentet, tre amendamente u pranuan nga 272 të paraqitura, një nga VMRO-DPMNE dhe dy të LSDM-së në pushtet. Debati në seancë plenare mund të zgjasë maksimumi pesë ditë. /Alsat.mk