Forcat izraelite kryen bombardime të pamëshirshme në Rripin e Gazës

Avionët luftarakë të Izraelit bombarduan disa pjesë të Rripit të Gazës, përfshirë në disa vende në jug, ku ushtria izraelite i kishte urdhëruar palestinezët të evakuoheshin. Banorët e Gazës raportuan për sulme ajrore dhe granatime në pjesët veriore dhe jugore të vendit, përfshirë në qytetin Rafah, i cili shtrihet pranë kufirit me Egjiptin dhe është vendi ku Izraeli i kishte urdhëruar civilët të shkonin për t’u strehuar.

“Pas asaj që pamë në Rripin e Gazës, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se të gjitha të drejtat janë shkelur, duke vrarë fëmijët tanë, duke vrarë djemtë dhe gratë tona, duke i shpërngulur ata nga shtëpitë e tyre me dhunë. Populli palestinez nuk do të largohet dhe nuk dëshiron të largohet”, tha Ebu Jaser, banor.

“Mesazhi im për botën është, ju duhet të ndaloni këtë gjenocid, duhet të ndaloni vrasjen e të pafajshmëve. Ata po përdorin armë të tmerrshme kundër nesh”, deklaroi Husam al Sharef, banor.

Kufijtë e Gazës me Izraelin dhe Egjiptin janë të mbyllur, që nënkupton se palestinezët nuk kanë zgjidhje tjetër pos të kërkojnë strehim brenda territorit të vet. Izraeli e ka shpallur një pjesë të ngushtë të vijës bregdetare në jug, Muwasi, si zonë të sigurt. Por, palestinezët që kanë shkuar atje, tregojnë për kushte të rënda dhe mbipopullim, me mungesë të strehimoreve dhe higjienës.

“Më mungon gjithçka, jetoja si njeri në Gaza, nuk më mungonte asgjë, isha në shtëpinë time, ndihesha i sigurt. Këtu nuk jam i sigurt. Ndihemi të frikësuar, fëmijët e mi vazhdimisht qajnë. Nuk ka gaz, nuk ka ujë, uji që pimë është i ndotur”, deklaroi Imad al Talateni, i zhvendosur.

“Këtu nuk kemi parë asgjë të mirë. Po jetojmë në një të ftohtë të madh. Këtu nuk ka banjë. Ne po flemë në rërë. Bën shumë ftohtë”, tha Soad Karmot, e zhvendosur.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga bombardimet izraelite në Gazë ka arritur në 17.400 – 70% gra dhe fëmijë – ndërsa mbi 46.000 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin palestinez, e cila thotë se shumë njerëz të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja. Izraeli e mban përgjegjës Hamasin – grupin radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – për vrasjet e civilëve, duke i akuzuar pjesëtarët e tij se po i përdorin civilët si mburoja njerëzore. /Alsat.mk