Pa ndryshime kushtetuese s’ka konferencë me BE-në

Javën e ardhshme në Bruksel pritet të zhvillohet samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Evropian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të konfirmohet, nga njëra anë, orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE, dhe në anën tjetër, edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim. Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e deklaratës që pritet të miratohet në këtë samit.

Bashkimi Evropian edhe përmes kësaj deklarate do të përsërisë përkushtimin e pa rezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e këtij procesi, bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave dhe përmbushjen e kritereve. Bashkimi Evropian do t’u bëjë ftesë të gjithë partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin të gjitha mospajtimet e tyre dhe çështjet e hapura.

BE-ja në këtë samit do të shprehë edhe përkushtimin për të ndihmuar vendet e rajonit në përballje me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si në aspektin e energjisë, ashtu edhe në përballje me kërcënimet hibride që vijnë nga Rusia.

Këtu, para së gjithash, nënvizohet nevoja për progres në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe në respektimin e parimeve dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian. Teksti i draftit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që atë ta mbështesin edhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë në samitin e javës së ardhshme Maqedonia e Veriut nuk do të mbajë konferencën e dytë ndërqeveritare për shkak se nuk arriti të realizojë në kohë ndryshimet kushtetuese. Qeveria thotë se nuk tërhiqet nga qëllimi për realizimin e tyre, sepse ato janë pjesë e kornizës negociuese, megjithatë për ta realizuar këtë, nuk i kanë 80 vota në Kuvend. VMRO-DPMNE-ja nuk pranon ndryshime kushtetuese.

Një ditë më parë ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se hendeku që do të krijohet në procesin e integrimit pas përfundimit të skriningut deri në realizimin e ndryshimeve kushtetuese, është i rrezikshëm.