Sulmet izraelite vazhduan në jug të Gazës

Sulmet izraelite vazhduan në jug të Gazës, me pasojë vdekjen dhe plagosjen e dhjetëra civilëve. Gaza veriore dhe qendrore janë kryesisht të izoluara dhe të shkëputura nga ndihma.

Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur në jug të Gazës nuk kanë siguri pasi ofensiva ajrore dhe tokësore izraelite ka vazhduar të godasë, sipas tyre, objektivat e Hamasit në të gjithë enklavën bregdetare.

Luftimet kanë përkeqësuar kushtet humanitare të territorit duke parandaluar shpërndarjen e ushqimit, ujit dhe ilaçeve. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i të vdekurve në territor është rritur në mbi 16 mijë. Rreth 1,200 njerëz kanë vdekur në anën izraelite, kryesisht civilë të vrarë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.

“Sekretari i Përgjithshëm i ka dorëzuar sot një letër Presidentit të Këshillit të Sigurimit, duke invokuar nenin 99 të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kjo është hera e parë që António Guterres e bën këtë që kur u bë Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2017. Në nenin 99 thuhet se ‘Sekretari i Përgjithshëm mund të sjellë në vëmendje të Këshillit të Sigurimit çdo çështje që sipas tij mund të kërcënojë mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare’. Sekretari i Përgjithshëm u kërkon anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të bëjnë presion për të shmangur një katastrofë humanitare dhe ai bën thirrje që të shpallet një armëpushim humanitar”, tha Dujarric.