Grubi me njoftim të rëndësishëm për nëpunësit administrativ: Do tu mbulohen harxhimet rrugore në vlerë prej 50%

Në seancën e sotme të Qeverisë, u miratuan ndryshimet e reja të Ligjit për nëpunësit administrativ, të cilat parashikojnë mbulimin e harxhimeve të rrugës për administratën shtetërore në vlerë prej 50% të biletës mujore të transportit, nëse vendi i jetesës është larg nga puna 2.5 km.

Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, në një postim në rrjetin social Facebook. Ai theksoi se qëllimi i kësaj zgjidhje ligjore është ofrimi i ndihmës për të gjithë nëpunësit administrativ duke lehtësuar shpenzimet e transportit, dhe përmirësimi i standardit jetësor.

Statusi i plotë:

Me ndryshimet dhe plotësimet e reja të Ligjit për nëpunës administrativ, të cilat i miratuam në seancën e sotme të Qeverisë, parashihet mbulimi i harxhimeve të rrugës nga vendi i jetesës në punë dhe anasjelltas për administratën shtetërore në vlerë prej 50% të biletës mujore të transportit, nëse vendi i punes është larg 2.5 km nga vendi i jetesës.

Me këtë zgjidhje ligjore synojmë të ndihmojmë nëpunësit administrativ duke lehtësuar barrën e shpenzimeve të transportit dhe duke kontribuar në përmirësimin e vazhdueshëm të standardit jetësor.