Izraeli intensifikon ofensivën në jug të Gazës, pavarësisht thirrjeve për mbrojtje të civilëve

Forcat izraelite kanë zgjeruar ofensivën e tyre në jug të Rripit të Gazës, duke vrarë e plagosur dhjetëra persona. Banorët kanë thënë se sulmet ajrore izraelite në jugun e dendur me popullatë civile, kanë përfshirë edhe zonat ku Izraeli u ka kërkuar banorëve të strehohen. Banorët e zhvendosur janë të shqetësuar për jetën dhe kushtet e banimit.

“Ku do të shkojmë? U arratisëm në Hamad dhe pastaj jemi poshtëruar këtu. Betohem se askush nuk fjeti mbrëmë për shkak të të ftohtit. Ne po i mbledhim këto dru zjarri në copa vetëm për të gatuar për fëmijët”, tha Ahmad Al Masri, i shpërngulur nga gaza.

Izraeli intensifikoi bombardimet e tij, teksa mjekët dhe punonjësit shëndetësor bëjnë thirrje se spitalet nuk kanë më kapacitet për të marrë të plagosurit brenda ndërtesës dhe se ata i trajtojnë pacientët e shtrirë në dysheme jashtë njësive spitalore pa siguri për jetën e tyre.

I pyetur për numrin e viktimave, zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë në Gaza është shprehur se deri tani në javën e tetë numri i viktimave ka kaluar më shumë se 15900 dhe kanë mbetur të plagosur rreth 42000 persona.

“Ekipet e specializuara nga Mbrojtja Civile dhe ambulancat mundën të merrnin 349 të vdekur dhe 750 të plagosur dhe i çuan në spitalet e Rripit të Gazës. Numri më i madh i viktimave është ende nën rrënoja. Prandaj, numri i viktimave nga agresioni izraelit në Rripin e Gazës në ditën e 59-të ka shkuar më shumë se 15.899 të vdekur dhe 42.000 qytetarë të plagosur me plagë të ndryshme që nga 7 tetori. Deri më sot”, deklaroi Ashraf Al Qidra, zëdhënës i ministrisë se shëndetësisë se Gazës.

Izraeli e akuzon Hamasin se po i rrezikon civilët, duke operuar në zonat e banuara, përfshirë tunelet që mund të shkatërrohen vetëm me bomba të mëdha. Sipas tyre, ata duhet të çmontojnë infrastrukturën e gjerë ushtarake të Hamasit dhe ta heqin atë nga pushteti në mënyrë që të parandalojë përsëritjen e sulmit të 7 tetorit.