Pakoja e re e masave kundër krizës ofron ndihmë për qytetarët, studentët, punëtorët, administratorët dhe bizneset…

Me 662 milionë euro po përmbyllet pakoja e 9-të e ndihmës për kategoritë e cënuara të qytetarëve dhe bizneseve, masa këto të miratuara dje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në këto masa ndihmese përveç kategoritë e lartëpërmendura janë përfshirë dhe nxënësit, studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat si dhe administrate shtetërore.

Të dhëna më të detajuara lidhur me çdo masë ndihmesë ka dhënë zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Njoftimi i plotë:

Me 662 milionë euro si ndihmë e pakos së IX-të, këtë vit po e mbyllim edhe me një mbështetje tjetër për kategoritë e cënuara të qytetarëve dhe bizneseve.

Mjetet do të shpërndahen në 26 masa për të ofruar ndihmë në tejkalimin e vështirësive në kushtet e rritjes së shpenzimeve të jetës si dhe efektet e shtuara nga kriza energjetike.

Krahas kategorive më të cënuara të qytetarëve, kemi përfshirë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat, administratën shtetërore dhe bizneset.