Opinioni i trajnerit Shpëtim Duro pas fitores me Tikveshin

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme ka regjistruar një ndër fitoret më të bukura të këtij edicioni. Themi më të bukura, pasi skuadra bëri një përmbysje të çmendur në transfertën në Kavadar, aty ku nga disavantazhi 2:0, në fund regjistruam fitore 3:2.

Trajneri Shpëtim Duro thotë se ishin zëvendësimet e bëra, por edhe vendosja e skuadrës mirë në 20 minutat e fundit të takimit, që kontribuan në këtë fitore. “Mungesë përqëndrimi në momentet e para të takimit dhe pamë veten në disavantazh prej dy golave. Megjithatë gradualisht hymë në lojën tonë dhe diktuam tempo, duke barazuar që në pjesën e parë falë dopietës së Marjan Radeskit. Ne pjesën e dytë ishim më në ekuilibër dhe prisnim momentin për të goditur kundërshtarin. Një gjë të tillë bëmë në mënyrën më të mirë në minutën e 82-të, kur Georgievski shënoi një super gol. Mendoj se zëvendësimet e bëra dhe vendosja e ekipit në 20 minutat e fundit sollën edhe avantazhin tonë të merituar në një fushë të vështirë” – u shpreh trajneri Shpëtim Duro.

Ky i fundit nuk ka shumë kohë për kalkulime, pasi të mërkurën skuadrën tonë e pret përballja e mbetur kundër Voska Sport, ndeshje këtë që do ta zhvillojmë në terren vendas.

Ndryshe për ekipin tonë fitorja e sotme ndaj Tikveshit, ishte e 11-ta sezonale, që tashmë na pozicionon në vendin e dytë, ndërsa deri në mbyllje të pjesës së parë të sezonit 2023/24 kemi edhe dy ndeshje, ku do të tentojmë të marrim maksimumin dhe pozitën e liderit.