Reshjet e mëdha të borës pengojnë udhëtimet në Gjermani, Zvicër dhe Austri – qindra fluturime janë shtyrë ose anuluar

Reshjet e dendura të borës kanë ndikuar në ndërprerjen e udhëtimeve në Gjermaninë jugore dhe në disa pjesë të Zvicrës dhe Austrisë, ku qindra fluturime janë shtyrë ose anuluar deri më tani.

Mynihu, aeroporti i dytë më i ngarkuar i Gjermanisë, mori goditjen më të madhe. Aeroporti u detyrua të mbyllej të premten mbrëma dhe nuk pritet të rihapet deri të dielën. Rreth 760 fluturime ishin planifikuar për të shtunën.

Kjo mbyllje pati efekte negative për aeroportin e Frankfurtit, qendra kryesore e Deutsche Lufthansa AG, që po përballet me “rritje të trafikut të aeroplanëve dhe pasagjerëve”, sipas një deklarate.

Në Zvicër, në aeroportin e Cyrihut janë anuluar 22 fluturime dhe 21 aterrime për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës. Për më tepër, procedurat e shkrirjes së akullit shkakuan vonesa për 40 minuta për disa fluturime.

Aeroporti i Insbrukut, në Austrinë perëndimore, tha gjithashtu se reshjet e mëdha të borës çuan në “kufizime të konsiderueshme” të operacioneve të fluturimit.

Me paralajmërimin e Zyrës Meteorologjike Gjermane për “mot të ashpër” në shtetin e Bavarisë, u prekën edhe linjat hekurudhore të Mynihut drejt qyteteve duke përfshirë Salzburgun dhe Insbrukun në Austri, Cyrihun dhe Nurembergun dhe Shtutgartin në Gjermani.

“Ne supozojmë se kufizimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës”, tha Deutsche Bahn në një deklaratë. “Ne rekomandojmë shtyrjen e udhëtimit për në Mynihu dhe nga Mynihu”.