“Maqedonia e Veriut është një vend i vogël me ambicie të mëdha klimatike. Qëllimi ynë është që deri në vitin 2030 të reduktojmë emetimet neto të gazeve serrë për 82 për qind në krahasim me nivelet e vitit 1990”, tha sot presidenti Stevo Pendarovski nga Dubai, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike – COP28.
Në fjalën e tij, Pendarovski tha se detyrë kryesore në këtë fushë do të jetë se si të eliminohet thëngjilli, si burim kryesor i energjisë elektrike, pa rrezikuar sigurinë energjetike të vendit dhe jetesën e komuniteteve, sepse siç ai theksoi, qymyri është “një nga ndotësit më të mëdhenj që ndikon si në klimën ashtu edhe në shëndetin”.
“Pavarësisht krizës energjetike, ne jemi të vendosur ta arrijmë këtë qëllim deri në fund të dekadës. Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë pilot evropian i përzgjedhur për programin e përshpejtuar të tranzicionit të qymyrit nga Fondi i Investimeve Klimatike. Këtu në COP28, së bashku me BERZH-in, ne do të lançojmë Platformën e Investimeve në Tranzicion të Drejtë Energjisë, e cila do të na ndihmojë të mobilizojmë fondet e nevojshme për t’u zhvendosur te burimet e rinovueshme, për të përshpejtuar investimet në rrjet dhe për të krijuar vende pune të gjelbërta me cilësi të lartë për shoqatat e minerare.
Prandaj, ne duam të ftojmë partnerët dhe donatorët e mundshëm që t’i bashkohen kësaj platforme dhe të dëshmojnë se një tranzicion i drejtë energjetik nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i mundshëm dhe i aksesueshëm. Me këtë do të respektojmë përkushtimin global për burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik të BE-së”, theksoi Pendarovski.
Presidenti më pas paralajmëroi në fjalimin e tij se bota po përballet me një “krizë të madhe klimatike”, për të cilën ai thotë se prek të gjithë, por popullatat më të cenueshme si fëmijët, si dhe sektorët e cenueshëm si shëndetësia.