“Kjo Qeveri ka treguar se si rriten pensionet në mënyrë sistematike. Kemi marrë vendim për rritjen e pensioneve, dy herë në vit, sipas rritjes së pagës mesatare dhe sipas rritjes së kostos së jetesës. Kemi rritjen më të madhe të pensioneve në historinë e shtetit, në një vit e gjysmë të fundit, prej 24%. Sa për krahasim, kemi 50% rritje të pensionit minimal dhe 50% rritje të pensionit mesatar në vend”.
Këtë e tha sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në lidhje me masat e reja ekonomike dhe kërkesat e pensionistëve për rritje të pensioneve. Ai deklaroi se pensionet janë rritur gjatë kohës së krizës së madhe.
“Nuk është një mënyrë për t’u premtuar pensionistëve një rritje një herë para zgjedhjeve, por kështu janë rritur pensionet me një përqindje të tillë gjatë krizës më të madhe. Ndërsa për vitin e ardhshëm në Buxhetin e vitit 2024 për pensione janë planifikuar edhe 100 milionë euro më shumë se sivjet, me qëllim të rritjes së mëtutjeshme të tyre sipas metodologjisë”, tha kryeministri Kovaçevski.
“Masat kundër krizës janë në fazën përfundimtare, mbulojnë rreth 400 mijë qytetarë dhe këtu përfshihen pensionistët që kanë pensione më të ulëta. Dhe nesër në Qeveri nëse gjithçka finalizohet do të merren masat dhe do të ketë konferencë për media në të cilën do të shpallen”, tha Kovaçevski.