4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri

Katër vite më parë, mëngjesi i 26 nëntorit të 2019, nuk ishte aspak një mëngjes i zakonshëm në Shqipëri.

Tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter goditi Durrësin, Fushë-Krujën, Laçin, Lezhën e Tiranën.

Me një bilanc tragjik prej 51 humbje jetësh e një numri të madh të plagosurish, në 26 nëntorin e katër viteve më parë, vendi ynë përjetoi tërmetin më të madh të kohëve të fundit, ndërsa për ditë me radhë vijonin paslëkundjet.

Banesa të tëra u shembën ose u dëmtuan rëndë nga lëkundjet e tërmetit duke lënë kështu për disa kohë banorët pa një çati mbi kokë.

Por edhe pse kanë kaluar 4 vite nga tërmeti katastrofik, shumë banorë vijojnë të jenë në qiell të hapur. Në atë kohë, qeveria krijoi ministrinë e Rindërtimit, me në krye Arben Ahmetajn, sot i shpallur në kërkim ndërkombëtar, që të mbidhte fondet dhe grantet e ardhura nga BE e me to të ndërtoheshin banesat për të pastrehët. Por sigurisht, ajo që pritej ndodhi. E gjithë fatkeqësia e njerëzve u shfrytëzua për fushatën elektorale nga kryeministri Edi Rama, duke vjedhur fondet e ardhura, e duke mos u dhënë as grantet e qerave.

E gjithë kjo situatë që ka zgjatur katër vite, ka detyruar shumë banorë në zonat e prekura që të rikthehen në pallatet e tyre të dëmtuara, të cilat u shpallën të pabanuara, duke rrezikuar kështu jetën e tyre.

Tërmeti si fenomen natyror, nuk mund të parashikohet, por goditja më e vogël në Durrës e zonat përreth mund të shkaktojë dëme serioze në njerëz, për shkak se pallatet në të cilët janë rikthyer banorët, janë rrezik i madh.