Stoltenberg në Shkup: Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale

Në Samitin e sotëm të liderëve rajonal të NATO-s që po mbahet në Shkup, i pranishëm është edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në një deklaratë për media nënvizoi rendësin e Ballkanit Perëndimorë për NATO-n.

“Ky rajon (Balkani Perëndimorë) është strategjik dhe i rëndësishëm për NATO-n. Shohim kërcënim në Bosnjë dhe siguri të brishtë në Kosovë. Në çdo takim kam nënvizuar se është me rëndësi dhe thelbësore dialogu për zgjidhjen e problemeve. Është koha që të tejkalohen konfliktet rajonale. Biseduam dhe për agresivitetin rus në Ukrainë. Do të bashkëpunojmë dhe do të fillojmë të përgatitemi për Samitin e radhës në Uashington”, tha Stoltenberg.

Ndërkohë kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski tha se në takim është biseduar për sfidat me të cilat përballet rajoni, me theks të veçantë çështja e sigurisë.

“Kishim mundësin të flasim për çështjet e hapura në rajon. Biseduam për sfidat që kanë të bëjnë me sigurinë në rajon… Situata e sigurisë në vendin tonë është stabile dhe nuk ka të dhëna për prishjen e saj, kështu flasin informatat të cilat i posedojnë shërbimet e sigurisë së vendit tonë, të cilat janë gjithashtu pjesë edhe e shërbimeve të sigurisë së NATO-s… Ndikime të vendeve të treta, përfshirë edhe ndikimin rus, ekzistojnë në rajon. Ato gjithmonë kanë mundësi të gjejnë mbështetës të mendimeve të tyre tek individë, parti politike dhe organizata të caktuara, por ato nuk arrijnë deri aty sa të kenë posedim apo ndikime deri në atë nivel që të jenë në gjendje të destabilizojnë shtetin tonë”, tha Kovaçevski.

Gjatë këtij takimi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka propozuar që në Samitin e radhë të mund të marrin pjesë edhe vendet e tjera të rajonit, që nuk janë anëtare të NATO-s.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, mirëpriti me interes propozimi për ndërtimin e një formati të një Samit të NATO-s me Ballkanin Perëndimorë ku do të jenë të pranishëm jo vetëm vendet anëtare të NATO-s, por edhe vendet partnerë të NATO-s dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë, që nuk janë sot këtu të pranishme”, tha Rama i cili njëherit përmendi edhe zhvillimet në Banjskë të Kosovës, për të cilën tha se duhet me çdo kusht që të mos përsëritet dhe vu në pah nevojën e rritjes së forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë e rruajtjes së kufirit Serbi-Kosovë, për të cilin tha se është jashtë kontrollit dhe në funksion të aktiviteteve ilegale .

“Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrje të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por dhe trupat që duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet,” – u shpreh Rama.