Partitë politike vazhdojnë të besojnë se duke përdorur elementin emocional të nxitjes apo të keqpërdorimit të ndjenjave etnike apo fetare te popullata, do të mund që të përfitojnë në zgjedhje. Kështu u shpreh analisti Sefer Selimi në lidhje me ngjarjet e fundit në vend që janë bërë mollë sherri në mes të partive politike e që kanë ngjallur reagime në opinion.
“Jemi dëshmitar se OBRM-PDUKM vetëm se gati tre vite në mënyrë intensive mundohet që ta keqpërdor elementin e gjoja kapjes së pushtetit nga ana e shqiptarëve dhe me këtë të paraqesë një pasqyrë e cila do të mund të nxiste le të themi të paktën një pakënaqësi te maqedonasit dhe përmes kësaj të mundohet që politika e veta t’i përkthej në një formë si kundërpërgjigje ndaj këtij fenomeni dhe në një pjesë e madhe e qytetarëve funksionon për fat të keq”, deklaroi Sefer Selimi – ekspert politik.
Selimi vlerëson se qytetarët shërbehen më atë që u ofrohet, kështu që duan apo jo, bëhen pjesë e retorikeve të këtilla politike, sipas tij, sipërfaqësore.
“Nuk është vetëm çështje sa janë të vetëdijshëm qytetarët është edhe çështje e ofertës që ekziston. Në qoftë se ndonjëra nga partitë politike nuk do të qaset që të krijojë program zgjedhor ose të krijojë një ofertë e cila do të jetë përmbajtjesore ose ndonjë ofertë e cila do të jetë përmbajtjesore, e cila do të ofrojë zgjidhje reale dhe konkrete për qytetarët, qytetarët do të vendosen para aktit të kryer për të zgjedhur në mes të këtyre dy variacioneve dhe prandaj mendoj se partitë politike në pamundësi, në mungesë të kapaciteteve njerëzore, në mungesë të vullnetit politik dhe në fund të ditës duke dashur që politikën ta zhvillojnë sa më lehtë dhe në terma të përgjithshëm nuk përveshin krahët që të krijojnë zgjidhje reale, përveçse kur afrohet data e zgjedhjeve, në mënyrë formale dhe sa për të larë sytë dhe faqet e qytetarëve, krijojnë programe të cilat përfshijnë shpesh premtime të parealizueshme”, pohoi Sefer Selimi – ekspert politik.
Ka ende kohë deri në datën e zgjedhjeve ndërsa vetëm se ka filluar një fushatë e hershme zgjedhore e mbushur me retorikë nacionaliste e fetare, e cila sipas analistit Sefer Selimi më është e njohur në të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni e Veriut. Skandali i Levicës në Kuvend, Kryqi i vendosur në Kodrën e Diellit, reagimi i Angellovit e harta në Sopot janë vetëm disa nga veprimet që po i paraprinë kësaj forme të komunikimit të partive politike me elektoratin.