Stoltenberg të martën vjen në Maqedoninë e Veriut

Stoltenberg të martën vjen në Maqedoninë e Veriut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të udhëtojë sot në Sarajevë, si fazë e parë e turneut të tij nëpër katër vende të Ballkanit Perëndimor.

Të martën pasdite ai pritet të mbërrijë në Shkup, ku do të qëndroj për dy ditë, përcjell INA.

Siç njoftoi NATO-ja, turneu nëpër rajonin e Stoltenberg do të fillojë me një darkë pune me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, ndërsa nesër do të ketë takime me përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare për BeH, Christian Schmitt dhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.

Pas këtyre bisedimeve, Stoltenberg do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në BeH, në selinë e NATO-s në Sarajevë.

Nga Sarajeva, personi i parë i Aleancës nesër pasdite do të udhëtojë drejt Prishtinës për takime me Presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Më pas ai do të vizitojë Komandën e Forcave të NATO-s në Kosovë, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash dhe me Drejtorin e Ekipit Ndërlidhës Këshillimor të Aleancës, gjeneral brigade Christian Ludwig von Hammerstein, dhe do të ketë një fjalim pranë ushtarëve të angazhuar në misionin e KFOR-it.

Të martën në mëngjes, Stoltenberg do të jetë në Beograd për bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pasdite nga Beogradi do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takohet me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe do të ketë një fjalim para deputetëve në Kuvend.

Të mërkurën në mëngjes, Kovaçevski dhe Stoltenberg kanë planifikuar të takohen në Shkup me liderët e vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni: presidentin kroat Zoran Milanoviç dhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, të Sllovenisë, Robert Golob dhe të Malit të Zi, Milojko Spajiq.(INA)