Agresioni i Rusisë në Ukrainë vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e punës së Uashingtonit për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike. Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë në pyetjen nëse SHBA-ja ndan shqetësimin me Bashkimin Evropian sa i përket një deklarate të bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se Moska dëshiron të nxisë konflikt në Ballkanin Perëndimor. “Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shtetet në Evropë, kanë një interes të madh në rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, luftë që kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha zëdhënësi i DASH-it.
Më herët gjatë javës, Zelensky deklaroi për mediat afrikane se ai ka prova të synimeve të Moskës për të nisur një luftë midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.