Marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për pikën e përbashkët kufitare u nënshkrua, por në realitet qytetarët vazhdojnë të ndalojnë në dy pika kontrolli.
Po kur qytetarët do të mund që në Bllacë të ndalen vetëm një herë?
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi thotë se më 1 janar pritet të përfundojë aplikacioni i përbashkët Maqedoni-Kosovë, për shkak se dy shtetet tani për tani kanë aplikacione të ndryshme për kontrollin e dokumenteve. Megjithatë para kësaj, marrëveshje duhet të ratifikohet edhe në Kuvend, gjë për të cilën Grubi nuk mendon se do të jetë problem.
“Kjo marrëveshje u nënshkrua, tani këto dy ministritë janë në zhvillim të këtij aplikacioni të përbashkët, afatin e kanë 1 janar që të hyjnë në fuqi sipas marrëveshjes së nënshkruar, uroj që të arrijnë ta zhvillojnë këtë aplikacion të përbashkët dhe në ndërkohë duhet Ministria e Punëve të Jashtme, e jona dhe e Kosovës, ta përgatisin ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar në Kuvend, që nuk besoj se do të ketë ndonjë problem, është çështje ditësh që Ministria e Punëve të Jashtme do e propozon në Kuvendin tonë.”- deklaroi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.
Edhe Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski shprehet se procesi është duke ecur dhe se pritet të mbarojë shumë shpejtë.
“Është nënshkruar marrëveshja në mes dy shteteve, ajo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend dhe të fillojë me protokollet për zbatim. Kështu që procesi është në vazhdim, presim që shpejtë do të mbarojë, do të mund të fillojmë në një mënyrë të tillë veprimi, ashtu siç i kemi në Tabanocë, Qafë Thanë.”- pohoi Oliver Spasovski, Ministër I Punëve të Brendshme.
Vendosja e kontrollit të përbashkët kufitar, e njohur si “One Stop Shop” mes Maqedonisë dhe Kosovës pritet të mundësojë qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve.
Tash për tash të tilla kemi me Shqipërinë në Qafë Thanë dhe Serbinë në Tabanocë, megjithatë edhe tek këto, ndonëse me kontroll të përbashkët, shpesh ka raste të pritjeve të gjata në kufi.