Integrimi i lëndëve në bazë të konceptit të ri mësimor ka shkaktuar rrëmujë në organizimin e orëve mësimore në arsimin fillor, posaçërisht në klasën e gjashtë, Lënda “Historia dhe shoqëria” në të cilën tashmë janë shkrirë lëndët: Arsimit Qytetar, Historia dhe Gjeografia do të ligjërohet nga tre mësimdhënësit adekuat por me orë dhe njësi mësimore të shkurtuara. Gjithashtu, për këtë lëndë nxënësit do të marrin tre nota për ta rrumbullaksuar në fund në një të përbashkët. Mësimdhënësit ankohen se në këtë mënyrë nxënësit nuk marrin njohuri të plota por të përgjysmuara e të paqarta.
“Krejt ndryshe doli. Shumica e kolegëve si historian dhe gjeograf nuk janë të kënaqur për shkak që u zvogëluan temat mësimore. Në gjysmëvjetorin e parë vetëm historianët tash mbajnë mësim në klasa të gjashta. Në gjysmëvjetorin e dytë ne gjeografët do të mbajmë edhe shkencave natyrore. Të gjitha ato temat të cilat ne i kemi punuar vjet në gjeografi, tash vetëm disa muaj do t’i punojmë edhe kjo na tregon se shumë pak tema do t’i punojmë në lëndën e gjeografisë”, tha Nagihan Daut, mësimdhënëse e Gjeografisë.
Mësuesi Satki Ismaili kujton institucionet përgjegjëse se për ta zbatuar në përpikëri konceptin e ri mësimor duhet plotësuar shumë kushte infrastrukturore në shkolla. Madje, ai tha se në shkolla të caktuara zbatimi i konceptit të ri mësimor ka mbetur vetëm në letër.
“Duhet edhe pak të shikojmë edhe shqetësimet e mësimdhënësve të cilat, për ata nuk mjafton vetëm një program i mirë mësimor. Për të realizuar konceptin e ri, në shkenca sidomos po edhe shoqëri dhe histori, patjetër duhet të kemi kushte. Në shkenca duhet të kemi kabinete të furnizuara mirë me materiale, resurse, burime të cilat mos të jenë vetëm në nivel të mbajturit mend por nxënësit kanë nevojë që të zhvillojnë shkathtësitë e tyre, të zhvillojnë njohuritë e tyre, t’i zbatojnë ato, të bëjnë eksperimente e kështu me radhë”, u shpreh Satki Ismaili, mësues mentor.
Integrimi i lëndëve sipas konceptit të ri mësimor ka ulur edhe numrin e orëve mësimore në lëndë të caktuara duke shkaktuar shqetësime te mësimdhënësit për humbje të vendeve të punës. Nga Ministria e Arsimit përsëritën se reformat e reja nuk parashohin ulje të numrit të mësimdhënësve në arsimin fillor por angazhimin e tyre në forma të ndryshme. /Alsat.mk