Kombëtarja shqiptare mbërrin në Moldavi, kuqezinjtë në formë fantastike

Kombëtarja shqiptare udhëtoi këtë të enjte drejt Kishinjevit, në kuadër të ndeshjes së parë ‘finale’ të muajit nëntor ndaj Moldavisë. Që do të luhet të premten e 17 nëntorit në stadiumin ‘Zimbru’.

Skuadra kuqezi është nisur paradite nga aeroporti i Tiranës për të mbërritur në drekë në kryeqytetin moldav, duke u akomoduar menjëherë në hotel.

Departamenti i Komunikimit në FSHF, bën me dije se i gjithë grupi gëzon formë shumë të mirë dhe nuk ka probleme fizike për asnjë nga lojtarët.

Kombëtarja do të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore në ora 17:00 në stadiumin e ndeshjes, ndërkohë që po sot trajneri Sylvinho do të jetë në konferencën zyrtare për shtypin në stadiumin e ndeshjes në ora 16:15.

Shqipëria do të luajë nesër në mbrëmje me Moldavinë sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. /Supersport.al