Struga Trim Lum po përfundon vitin më të suksesshëm në histori, ndërsa kjo gjë konfirmohet edhe përmes renditjes më të fundit të UEFA-s në rang klubesh. Suksesi i jashtëzakonshëm i këtij edicioni në arenën europiane, bëri që skuadra jonë të bëjë një lëvizje pozitive prej plotë 90 vendesh, për dallim nga viti i kaluar, kur renditeshim në pozitën e 417-të.
Kështu viti 2023 do të na gjejë në pozitën e 327-të, duke u bërë forca e tretë prej klubeve nga Maqedonia në arenën europiane.
Është pa dyshim ky një sukses i jashtëzakonshëm i skuadrës tonë, që këtë vit luajti vetëm për herë të dytë në garat europiane, pas atyre në sezonin 2021/22.
Atë kohë kishim debutuar në Ligën e Konferencës, duke u eliminuar që në raundin e parë nga letonezët e FK Liepaja, ndërsa këtë vit për herë të parë në histori debutuam edhe në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Pavarësisht lojës së mirë që shfaqëm në të dyja takimet, në fund u eliminuam nga lituanezët e Zhalgiris me rezultatin e përgjithshëm 2:1, mirëpo vazhduam në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku arritëm deri në ndeshjet e “play-off”, ku u eliminuam nga islandezët e Breidablik.
3 fitore, 1 barazim dhe 4 disfata në 8 ndeshje europiane të këtij viti, na mundësuan që të grumbullojmë tashmë 3.500 pikë, derisa në krye të saj qëndrojnë kampionët e Anglisë, Mançester Siti.