Ministria palestineze e Shëndetësisë: Sulmet izraelite në Gaza, kanë vrarë mbi 10 mijë persona

Shumë të plagosur u dërguan në spitalin Naser në Rripin jugor të Gazës, pas një sulmi ajror të raportuar në lindje të Kan Junisit.

Ministria palestineze e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi thotë se numri i palestinezëve të vrarë në Gaza është rritur në 10,818. Në përditësimin e saj të fundit, ministria tha se shifra përfshin 4,412 fëmijë dhe 2,198 gra.

2650 persona të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe mund të jenë të bllokuar ose të vdekur nën rrënoja. Zyrtarët izraelitë thonë se mijëra militantë palestinezë janë vrarë dhe fajësojnë Hamasin për vdekjet e civilëve, duke e akuzuar atë se vepron në zona të banuara dhe përdor civilët palestinezë si mburojë. Hamasi e ka mohuar këtë.

Kryediplomati amerikan Antoni Blinken, tha se shumë palestinezë janë vrarë, shumë të tjerë kanë vuajtur dhe duhet bërë gjithçka për të parandaluar dëmtimin e tyre. Duke folur në Nju Delhi, Blinken tha se SHBA-ja vlerëson hapat e Izraelit për të minimizuar viktimat civile, por se kjo nuk është e mjaftueshme. Ai tha se SHBA-ja u ka propozuar disa ide izraelitëve, duke përfshirë “pauza humanitare” më të gjata dhe rritjen e ndihmave që duhet të kalojnë në Gaza.

“Duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët dhe për t’u siguruar se ndihma humanitare mbërrin te ta. Shumë palestinezë janë vrarë, shumë të tjerë kanë vuajtur në javët e fundit. Ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar dëmtimin e tyre dhe për të shtuar ndihmën që marrin. Për këtë qëllim, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me Izraelin për hapat konkretë që mund të ndërmerren. Ne do të vazhdojmë të përqendrohemi në shtimin e ndihmës humanitare që hyn në Gaza dhe të fokusohemi në hapat që mund të ndërmerren për të filluar vendosjen e themeleve për paqe të qëndrueshme”, tha Antoni Blinken, sekretar Amerikan i Shtetit.

Më shumë se dy të tretat e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Gaza janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës. Më shumë se 1,400 persona kanë vdekur në Izrael që nga fillimi i luftës, shumica e tyre civilë të vrarë nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të tyre në 7 tetor.