Zanatet po shuhen, mungesa e punëtorëve në shumë sektorë po thellohet

Disa zanate po shuhen nga mungesa e punëtorëve. Zdrukthëtaria mbetet e rrallë ngaqë punëtoritë e tyre po zëvendësohen me makineri moderne për përpunimin e drurit. Si kuadër deficitar janë edhe kasapët, bukëpjekësit dhe sektori i ndërtimtarisë si muratorë, gips punues, mjeshtër pllakash, hidraulikë, të cilëve më nuk iu mjafton as paga prej 500-700 eurove, thonë nga Oda Ekonomike. Përkundër kësaj gjendjeje të tregut të punës, nga Oda Ekonomike thonë se nuk ka interes për rikualifikim dhe trajnim shtesë dhe se vetëm 15 persona morën pjesë në një trajnim të tillë, të iniciuar nga Oda, sepse u duhej të mbanin vendet e punës.

“Duke u nisur nga mentaliteti që kemi në shoqërinë tonë më mirë është të punohet në administratë publike ku pagat janë 25-28 mijë denarë pa shtesat e stazhit. Por ata nuk do të rikualifikohen e të shkojnë në ndonjë sektor të prodhimtarisë ku pagat janë shumë më të mëdha. Në industrinë ushqimore, pagat sillen nga 30-40 mijë denarë, por kur thonë se punojnë në zyra administrative më mirë tingëllon”, tha Natasha Janevska, Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Mungesa e kuadrove me aftësi të përshtatshme e zvogëlon konkurrencën dhe ndikon në gjendjen ekonomike të një vendi, thonë nga Oda Ekonomike. Në vitin 2021-2022, punëdhënësit u përballën me mungesë punëtorësh në 28 profesione në disa sektorë. Një nga sektorët problematikë është shëndetësia, por çdo profesion është i rëndësishëm dhe kjo duhet të definohet që në bankat shkollore në mënyrë që në disa sektorë mos të shfaqet deficiti i punëtorëve dhe në sektorë tjerë jenë të mbipopulluar. Jadranka Arizankovska tha se përveç te kompanitë kjo ndjehet edhe nëpër amvisëritë kur për një punë to vogël duhet të pritet një mjeshtër për javë dhe muaj të tërë, duke mos e pyetur fare se sa duhet të paguhet.

“Në deklarimet e kompanive ata theksojnë se për shkak të kësaj mungese, profile kyçe që i duhen janë të paguar më shumë. Disa profile të sektorit të ndërtimtarisë kanë çmim të lartë në tregun e punës dhe vetë kompanitë ballafaqohen me rritje të kostove”, theksoi Jadranka Arizankovska, Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, në Bashkimin Evropian 35% e të rriturve kanë marrë pjesë në trajnime për zhvillim të aftësive në punë, ndërsa kjo shifër në vendin tonë është vetëm 2.5%. Problemi i mungesës së aftësive nuk është i pranishëm vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në BE thonë të dhënat zyrtare, ku mbi 77% e kompanive kanë probleme për të gjetur punëtorë me aftësi të përshtatshme. Ikja në Perëndim nga punëtorët me zanate deri tek ata me profesione dhe super të kualifikuar e bën vendin tonë sa më të plogësht për të konkurruar tregun e rajonit e aq më pak tregun evropian, thonë nga Oda. /Alsat.mk