Të hënën vjetërsohet edhe gjykimi për rastin “TNT”

Biznesmeni Fiat Canovski denoncoi sot se lënda për rrëzimin pa leje të objektit të tij të hënën mund të pushohet nga Gjykata e Apelit dhe akuza për rastin “TNT” të bie poshtë, shkruan Alsat.

Sipas Canovskit dhe avokatit të tij kjo është bërë me qëllim nga gjykatësi referues Gjoko Ristov në Apel i cili qëllimisht nuk ka sjell vendim brenda afatit 60 ditor, ndërsa ndryshimet e fundit në Kodin Penal i kanë lehtësuar edhe më tepër të akuzuarit në këtë rast, ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish ministrin e Transportit, Mile Janakievski. Canovski tha se deri tek vjetërsimi ka ardhur si pasojë e manipulimit të procesverbalit.

“Shpërdorimi me detyrën zyrtare është bërë nga ana e gjykatësit Gjoko Ristov në disa raste. Shpërdorim ka edhe në shkallën e parë nga ana e personave që kanë falsifikuar procesverbalin e aktvendimit gjyqësor. Ky shpërdorim është bërë nga më shumë njerëz gjatë procedurës në shkallën e parë por edhe në Apel. Procesverbali ka qenë i shkruar mirë, por të njëjtin e kanë falsifikuar”, tha Fiat Canovski, Biznesmen.

Për rrëzimin e kundërligjshëm të objektit “Kosmos”, ish kryeministri Nikolla Gruevski u dënua me 9 vite burg, ndërsa ish ministri i Transportit, Mile Janakievski me 3 vite burg. Të dy së fundi shpëtuan edhe nga dënimet për rastin “Trajektorja” me autostradat kineze, pavarësisht se dëmi ndaj buxhetit të shtetit rezulton plot 155 milion euro.

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal çuan në vjetërsim edhe disa akuza kundër ish shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov. Sipas analizave me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal në shtator, 14 lëndë gjyqësore në të cilat akuzohen mbi 80 persona do të vjetërsohen./ Alsat.mk