Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nuk e fsheh se qëllimi i veprimtarisë së tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, ishte bashkimi i trojeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.
Por sipas tij, ky objektiv ndryshoi rrugës dhe më pas ata zgjodhën që përpara nacionalizmit dhe fanatizmit të zgjedhin pragmatizmin dhe që shqiptarët të jene popull shtetformues edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Kur e kemi filluar veprimtarinë, e kemi filluar për ta bërë Shqipëri, por politikat ndryshuan dhe ne zgjodhëm pragmatizmin dhe jo fanatizmin. Ne zgjodhëm që shqiptarët në Maqedoni të jenë shtetformues, të jenë zot e ti dalin zot vetes në vendin e vet dhe ky flamur sot është zyrtar dhe i paprekshëm. Këtu është gjaku i qindrave ushtarëve, patriotëve dhe shqiptarëve. Gjuha shqipe është zyrtare dhe e paprekshme.”
Sipas tij, tani nuk është më e nevojshme që të ndryshohen kufijtë dhe se bashkimi i shqiptarëve do të bëhet nën flamurin e Bashkimit Europian.
“Ne kufijtë do t’i heqim siç i ka hequr Evropa. Sepse borxh kërrkujt nuk i kemi, që ne të rrimë të izoluar dhe të strukur. Ne të ardhmen e kemi në Evropë. Shqiptarët i heqin kufijtë me anëtarësimin e tyre në Evropë, ashtu siç jemi ne NATO bashkë me Shqipërinë dhe nesër me Kosovën. Për mua nuk është arritje e madhe se do të bëhet kufiri njëkahësh, për mua arritja më e madhe është kufijtë të hiqen, sepse rënia e kufijve është ardhmëria e popujve dhe liria e popujve.”
Këto komente, Ali Ahmeti, i bëri në Kompleksin Memorial në fshatin Sopot, ku u përkujtua masakra e vitit 1944./KlanM/