Në projeksionet buxhetore për vitin 2024 nuk parashihen taksa të reja, shtesë apo rritje të tatimeve, tha sot ministri i Financave Fatmir Besimi.
Sipas Besimit, propozim-buxheti është në finalizim dhe duhet të dorëzohet në Kuvend deri në mesin e këtij muaji.
Sipas ministrit Besimi, trendi i rritjes dhe konsolidimit fiskal pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, deficiti të zvogëlohet, dhe premisat kryesore ekonomike, pavarësisht mbajtjes së zgjedhjeve, të vazhdojnë të shihen si postulate për rritje të qëndrueshme dhe financa të qëndrueshme.
“Inflacioni për muajin tetor pritet të jetë edhe më i ulët se ai i shtatorit. Shifrat mund të priten javën e ardhshme”, theksoi Besimi në takimin e sotëm me gazetarët.
Sa i përket masave të reja kundër krizës që po paralajmërohen, Besimi thotë se ato do të jenë në fuqi deri në fund të këtij viti dhe janë në dispozicion gjithsej 4,6 miliardë denarë. Por, siç tha ai, nga kjo shumë, 980 milionë denarë do t’i jepen “Hekurudhave të Maqedonisë” për ta shlyer borxhin ndaj EMV-së.
Besimi njoftoi se në fillim të vitit 2024 do të ketë masa kundër krizës. Masat do të jenë të fokusuara në kategoritë e rrezikuara dhe në mbështetjen e ekonomisë, ndërsa ato për këtë vit duhet të shpallen nga Qeveria në mesin e këtij muaji.
Lidhur me Ligjin për Tatimin e Solidaritetit, ai ritheksoi se fondet që do të mblidhen brenda afatit të përcaktuar do të shkojnë ekskluzivisht për paketën kundër krizës.