Maqedoni, Propozim-ligji për amnisti të enjten në seancë kuvendare

Propozim-ligji për amnisti ka kaluar në Qeveri dhe është dorëzuar në Kuvend, ndërsa të enjten pritet të jetë në rend dite në seancë plenare. Këtë e konfirmoi zv.ministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska.

Ajo tha se Propozim-ligji për amnisti është dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë me qëllim që të ulet numri i të burgosurve, i cili për momentin është shumë i lartë. Ajo gjithashtu njoftoi se grupi i deputetëve të LSDM-së do të dorëzojnë amendamente, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Propozim-ligji për amnisti pritet të miratohet me procedurë të shkurtuar. Me të pritet që të lirohen plotësisht nga burgu 286 të dënuar dhe të amnistohen pjesërisht 996.

Për momentin 2114 të dënuar e vuajnë dënimin me burg, ndërsa 2813 pritet të futen. Për ata që presin në radhë për të vuajtur dënimin me burg, Ministria thekson se do të përcaktohet më tej se sa prej tyre do të përfshihen nga amnistia.