Mali i Zi me Qeveri të re, Millojko Spajiq kryeministër i ri

Kuvendi i Malit të Zi, zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën. Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare. Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit. Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022. Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij. Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë. Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit. Ndërkohë mijëra qytetarë të veshur me simbole kombëtare dhe shtetërore malazeze protestuan kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiqin. Me zgjedhjen në krye të Kuvendit, Mandiqi u bë edhe anëtar i organit më të lartë shtetëror për siguri dhe mbrojtje. Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi. Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO. Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik. Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90. Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore. Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007. Bashkimi Evropian e ka mirëpritur formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, por i ka bërë thirrje asaj të angazhohet menjëherë për t’i përmbushur sa më shpejt reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE. Mali i Zi tani duhet të përqendrohet tërësisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Podgoricë. E pyetur se sa reale janë pritjet që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030, der Leyen tha se nuk ka nevojë të pritet “nëse plotësohen kushtet”. /Alsat.mk