Arrestohen 20 biznesmenë në Maqedoni, dëmtuan buxhetin për 8 milionë euro përmes mashtrimit me fatura

Njëzet pronarë dhe drejtorë të 28 kompanive janë arrestuar, ndërsa gjashtë rezultojnë të zhdukur në operacionin e sotëm të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Policisë Financiare të koduar “Zinxhiri”.

Ata dyshohen për bashkim kriminal, evazion fiskal dhe pastrim parash.

Ata dyshohet se kanë themeluar apo marrë nën kontroll kompani, përmes të cilave kanë përgatitur fatura false për të mos paguar TVSH-në.

Sipas prokurorisë, në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin për më shumë se 490 milionë denarë, përkatësisht për gati tetë milionë euro.

Për 13 të dyshuarit është kërkuar masa e paraburgimit, një arrest shtëpiak, ndërsa për 12 të tjerët masa të tjera paraprake, si konfiskimi i pasaportës, ndalimi i daljes nga vendbanimi dhe ndalimi i kontakteve me persona të caktuar. U kërkua ngrirja e aseteve të pesë personave dhe shtatë kompanive.

Mëngjesin e sotëm është bërë e ditur se prokuroria dhe policia financiare po arrestojnë persona dhe po kontrollojnë objektet në disa lokacione në Negotinë, Kavadar, Manastir dhe Ohër.