Në Maqedoninë e Veriut rritet numri i kalimeve ilegale nga migrantët

“Në qendrën transitore në pjesën jugore të vendit gjenden 315 shtetas të huaj, prej të cilëve 197 gra, 54 fëmijë, 38 të mitur të pashoqëruar dhe 26 azilkërkues. Shumica janë nga Siria, Palestina, Pakistani, Algjeria, Egjipti, Nigeria, Kongo, Kameruni, Sierra Leone, Nepali dhe Kina. Në qendrën transitore kufitare në kufirin me Serbinë në tremujorin e fundit kanë qëndruar 359 persona. Edhe në këtë qendër shumica e shtetasve të huaj janë nga Siria, Palestina, Maroku, Nepali dhe Algjeria”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

“Organet e sigurisë po e mbajnë nën kontroll situatën”

Me gjithë rritjen e numrit të tentimeve për të hyrë në territorin maqedonas, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, thotë se gjendja është stabile, jo vetëm sa i përket migrantëve, por edhe krizave tjera në rajon dhe më gjerë.

“Jo vetëm Ministria e Punëve të Brendshme, por në përgjithësi të gjitha shërbimet dhe agjencitë e sigurisë po ndërmarrin çdo gjë në baza ditore në mënyrë që të mund ta mbajmë gjendjen stabile dhe të sigurt. Pra, për momentin situata është e qëndrueshme dhe nuk kemi asnjë indikacion për ndonjë përkeqësim të saj”, deklaron Spasovski.

Nga shoqata humanitare “Legis”, e cila merret me kujdesin për migrantët, thonë se nuk presin ndonjë valë të re të migrantëve palestinez për shkak të rrethanave gjeopolitike. Por nga Siria, Afganistani, apo edhe vende tjera, do të ketë tentime për t’u futur në Maqedoninë e Veriut, sipas shoqatës.

“Numri i atyre që kalojnë ilegalisht kufirin dhe arrijnë të nisen drejt Serbisë, është thuajse i njëjtë. Bëhet fjalë për grupe prej 30 deri 50 personash, të cilët fatkeqësisht organet e sigurisë nuk arrijnë t’i ndalojnë dhe nisen në këmbë, rrugë kjo që bart rreziqe të shumta”, thotë Jasmin Rexhepi nga shoqata “Legis”.

FRONTEX-i në ndihmë të policisë maqedonase kundër kalimeve ilegale

Kontrolli i kufirit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë nga muaji prill po ndihmohet nga agjencia kufitare e Bashkimit Evropian-FRONTEX.

Qëllimi i misionit që përfshinë rreth 100 policë, është parandalimi i migrimit të paligjshëm, ndërsa do të zgjasë deri në janar të vitit 2024, me mundësi vazhdimi.

Maqedonia e Veriut në vitin 2015 ishte vërshuar nga dhjetëra mijëra refugjatë nga vendet aziatike, që përdornin territorin e saj për të kaluar në vendet e BE-së, ndërkohë që ishin regjistruar edhe përplasje të ashpra mes policisë dhe migrantëve. /REL