“Palët nuk ishin të gatshme të pajtohen” – Borell njofton se nuk ka marrëveshje mes Kosovës e Serbisë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, është deklaruar pas takimeve të ndara që kanë zhvilluar krerët evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Borrell, u shpreh se palët nuk ishin të gatshme të pajtohen për marrëveshjen bazë.

“Jemi takuar me kryeministrin Kurti dhe pastaj me presidentin Vuçiq për të diskutuar për situatën dhe për të shpjeguar se rruga e vetme përpara është normalizimi përmes dialogut dhe se BE kërkon normalizim marrëdhëniesh midis dy vendeve dhe kemi pasur një pengesë të madhe që ka të bëjë me formimin e Asociacionit në Kosovë dhe në mënyrë që t’i afrojmë palët drejt një marrëveshje, ne propozuam në propozim të balancuar, evropian për Asociacionin dhe insistuam te palët që të marrin këtë rast që do të ishte hap i madh përpara”, tha Borrell.

Borrell tha se do të synojnë t’i afrojnë palët edhe drejt marrëveshjes, përfshirë edhe Asociacionin.

”Për fat të keq, palët nuk ishin të gatshme të pajtohen me këtë pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër dhe në fund, ne kërkuam palët që seriozisht të angazhohen në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut, sepse është mënyra e vetme të avancojnë në rrugën evropiane, ne do të vazhdojmë të angazhohemi për arritjen e një marrëveshjeje, por sot për fat të keq, nuk ishte e mundur pa parakushte nga njëra palë që ishte e papranueshme nga pala tjetër”, ka thënë Borrell.