Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se 171 sulme janë kryer ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli midis 7-24 tetorit, transmeton Anadolu.
OBSH publikoi një raport lidhur me sulmet e Izraelit ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga 7 tetori, ku filluan përleshjet mes Izraelit dhe Palestinës, deri më 24 tetor.
Sipas raportit, gjithsej 171 sulme janë kryer ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor në territoret e pushtuara palestineze. Në sulme kanë humbur jetën 493 persona, përfshirë 16 punonjës aktivë të kujdesit shëndetësor ndërsa janë plagosur 387 persona.
96 prej sulmeve të Izraelit janë kryer në Kudsin e pushtuar Lindor dhe në Bregun Perëndimor ndërsa 75 në Rripin e bllokuar të Gazës. Nga sulmet janë ndikuar 34 qendra shëndetësore, janë dëmtuar 24 autoambulanca.
Raporti bëri thirrje për mbrojtjen e shërbimeve shëndetësore dhe civilëve. Izraeli ka nisur fushatë të pamëshirshme bombardimi në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor.
Rreth 8 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin aktual, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe mbi 1.400 izraelitë.
2.3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë transportuar vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.