Kryeministri Dimitar Kovaçevski është takuar sot me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së sllovenisë në Maqedoninë e Veriut, Gregor Preskar, me ç’rast është vlerësuar se dy vendet kanë raporte të mira miqësore dhe bashkëpunim, të cilat ndërtohem tashmë 30 vite, me gatishmëri të ndërsjellë dhe interes për thellimin e tyre, sidomos në fushën e ekonomisë.
Me këtë rast, siç njoftojnë nga pres-shërbimi qeveritar, kryeministri Kovaçevski ka shprehur kënaqësi nga nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët për përforcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve gjatë vizitës së tij në Lubjanë në prill të këtij viti. Deklarata, siç theksoi kryeministri Kovaçevski e konfirmon mbështetjen e vazhdueshme sllovene për Maqedoninë e Veriut në shumë fusha.
Në fushën e bashkëpunimit dypalësh u mirëprit fakti që tregtia mes dy vendeve është në rritje dhe Maqedonia e Veriut është vendi i pestë më i rëndësishëm për investime nga kompanitë sllovene, të cilat aktualisht arrijnë në rreth 7 për qind të fluksit të përgjithshëm të huaj të investimeve të drejtpëdrejta në vend.
“Kovaçevski dhe Preskar shprehën kënaqësinë për hapjen e linjës direkte Shkup – Lubjanë, të kompanisë Wizz Air, e cila pritet të kontribuojë më tej në futjen e dinamikave të reja në bashkëpunimin ekonomik dhe forcimin e mëtejmë të shkëmbimit turistik”, thuhet në komunikatë.
Një fokus i veçantë i takimit u vu në proceset integruese evropiane dhe në këtë drejtim kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të hapur të Sllovenisë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, duke theksuar në veçanti qasjen sllovene për integrim të përshpejtuar dhe progresiv.