Mediat online me ndikim më të madh se televizionet, anketa e “Eurothink”

Sondazhi “EUROMETAR 2023” i realizuar nga “Eurothink” – Qendra për Kërkime Strategjike në Shkup zbulon të dhëna interesante se qytetarët në Maqedoninë e Veriut nga cilat media apo platforma po informohen për ngjarjet politike.

Sondazhi më në fund konfirmon atë që përgjithësisht dihet edhe pa sondazhe se qytetarët në mënyrë dominuese informohen nga interneti për ngjarjet politike në vend.

Nga ana tjetër, anketa e Eurostat-it për vitin 2021 tregoi se një shumicë prej 72 për qind e qytetarëve të moshës 16 deri në 74 vjeç e përdornin internetin për të lexuar mediat online ose për të marrë informacion përmes versioneve elektronike të gazetave. Kjo është një përqindje identike me mesataren tek shtetet anëtaretë BE-së.

Në sondazhin “EUROMETAR 2023” të Eurothink, kur u pyetën qytetarët se si marrin informacion për tema politike, 56.5% e të anketuarve u përgjigjën “përmes internetit”, 43.5% “përmes televizionit” dhe 12.5% ​​”nga miqtë/familja”.

Lidhur me afrimin e vendit në BE, anketa e quajtur “Eurometar 2023” tregon se 55,8% e të anketuarve vlerësojnë se BE-ja ndaj Maqedonisë është e padrejtë, arrogante dhe shantazhon, ndërsa 27,5% thanë se marrëdhënia e BE-së me Maqedoninë është e drejtë, miqësore dhe korrekte. Drejtori i “Eurothink”-ut Dimitar Nikollovski, tha se shqiptarët janë shprehur më optimistët në vend.

Është shqetësuese që 30% e të anketuarve mendojnë se vendi nuk do të hyjë kurrë në BE, krahasuar me 12% që mendojnë se kjo do të ndodhë pas 5 deri në 9 vjet. Në pyetjen “Në përgjithësi, në çfarë drejtimi po lëvizin gjërat në Maqedoninë e Veriut”, 54,4% janë përgjigjur me “drejtim krejtësisht të gabuar”, ndërsa vetëm 12,6% “drejtim shumë i mirë”. Megjithatë, për 60,8% të të anketuarve, BE-ja është alternativa më e mirë për vendin, që është një rritje prej 2% në krahasim me vitin 2022, kur 58% u përgjigjën në këtë mënyrë. Ndërsa 35,6% besojnë se vendi duhet të kërkojë modelin e vet të zhvillimit jashtë BE-së.(INA)