Punonjësit shëndetësorë në disa qytete të vendit mbajtën protesta paralajmëruese. Ata kërkojnë rritje të pagës për 30 për qind, si dhe 4 për qind për rrezikshmërinë në punë dhe ndryshim të marrëveshjes aktuale kolektive, pasi vlerësojnë se në të ka disa parregullsi.
“Dolëm në këtë protestë paralajmëruese për shkak të asaj që ne e kërkojmë 30 për qind rritje të pagave për të gjithë shëndetësinë, 4 për qind shtesa infektive poashtu për të gjithë shëndetësinë, pas kësaj stazh me benefite poashtu për të gjithë shëndetësinë dhe ndryshim të marrëveshjes aktuale kolektive pasiqë ka shumë parregullsi, ne duam ato parregullsi t’i ndryshojmë megjithatë nuk na dëgjon askush nga ana tjetër…“, deklaroi Lazo Kostovski, Kryetari i Sindikatës së pavarur të Geriatrisë.
Kryetari i sindikatës së pavarur të Geriatrisë, Lazo Kostoski tha se kanë realizuar një takim me përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë dhe janë të vetëdijshëm se kjo gjë nuk varet prej tyre por prej ministrisë së Financave. Ata presin që problemeve të tyre t’u gjendet zgjidhje, në të kundërtën protestat do të radikalizohen. Por kryeministri, Dimitar Kovaçevski vlerëson se gjatë mandatit të kësaj qeverie punonjësit shëndetësor kanë më shumë përfitime. Ai tha se edhe kërkesat aktuale janë legjitime dhe duhet të shqyrtohen.
“Unë e di që ekzistojnë më shumë sindikata që gjithmonë mund të japin kërkesa të reja dhe kërkesat janë legjitime, megjithatë ato kërkesa duhet të vendosen edhe në raport me atë se çfarë kanë në dispozicion taksapaguesit, sepse në fund të ditës puna e punonjësve shëndetësorë paguhet nga fondi shëndetësor, fondi shëndetësor është në pronësi të atyre që paguajnë sigurim shëndetësor….dhe nga ai aspekt do të thoja se duhet të shihen kërkesat që janë dhe në korniza të mundësive…”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kostovski tha se protesta paralajmëruese ka pasur në disa shtëpi shëndeti në Shkup, në Krushevë, Negotinë, Kavadar, Prilep, Gostivar, Tetovë dhe Kërçovë. /Alsat-m