Rusia shënon ditën e 600-të të luftës me sulme ndaj Ukrainës

Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa, dronë, sulme ajrore dhe artileri, në ditën e 600-të që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë. Ushtria e Ukrainës raportoi se Rusia ka lëshuar dhjetë raketa dhe 12 dronë kamikazë. “Fatkeqësisht ka të vrarë dhe të plagosur në mesin e civilëve”, tha ushtria ukrainase pa ofruar shifra për të vrarët. Rusia po ashtu ka kryer sulme me artileri në rajonin jugor të Zaporizhjës. Disa ndërtesa banimi janë dëmtuar. Ukraina raportoi se po vazhdon të mbrojë lindjen dhe jugun e vendit kundër sulmeve ruse, përderisa kundërofensiva ukrainase po vazhdon në juglindje.