Presidenti Francez Emmanuel Macron urdhëron mobilizimin e 7,000 ushtarëve për rritjen e patrullave të sigurisë.
Kjo pasi dje Kryeministrja franceze Elisabeth Borne shpalli alarmin terrorist dhe kishte mobilizuar forcat e sigurisë së vendit, pasi një mësues u godit për vdekje me thikë dhe dy të tjerë mbeten të plagosur nga një sulm islamik.
I dyshuari 20-vjeçar, i cili është një ish-nxënës i shkollës së mesme ku ndodhi sulmi, është arrestuar dhe ka qenë në listën shtetërore të vëzhgimit të personave që paraqesin një rrezik potencial për sigurinë, thanë zyrtarët.
Tani, zyra e Macron ka thënë se ushtarët do të mobilizohen të hënën në mbrëmje deri në njoftimin e mëtejshëm, si pjesë e një operacioni në vazhdim që kryen rregullisht patrulla në qendrat kryesore të qyteteve dhe vendet turistike.
Alarmi i sigurisë vjen pasi Franca pret Kupën e Botës në Rugby dhe përgatitet të përballet me Afrikën e Jugut të shtunën në mbrëmje në çerekfinalen e tyre.