Takim liderësh për t’i ndryshuar njerëzit nëpër institucione nuk do të ketë. Kjo ishte përgjigja e kreut të Qeverisë ndaj kërkesës së liderit të opozitës maqedonase, Hrisjan Mickoski i cili ditë më parë kërkoi takim liderësh për të dakorduar datën e përbashkët të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, shkruan Alsat.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se opozita akoma i ka të hapura dy parakushtet: ndryshimet kushtetuese tani dhe zgjedhje të parakohshme, ose shumicë e zgjeruar me ndarje të pushtetit 50-50 me opozitën.
“Të hënën t’i votojmë ndryshimet kushtetuese, të njëjtën ditë do ta shpërndajmë Kuvendit dhe do të shkojmë në zgjedhje. Apo, derisa duan kuptohet, atëherë mund t’i hapim ndryshimet kushtetuese, të bëhen pjesë e Qeverisë me 50 për qind të resorëve, ta mbyllim skriningun dhe ndryshimet kushtetuese, t’i hapim kapitujt dhe t’i mbyllim një ose dy prej tyre dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Këto opsione akoma janë të hapura”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Në të kundërtën, afatet ligjore nuk do të shkelen.
“Dihen afatit ligjore. Më 12 maj duhet të kemi president të ri, ndërsa më 15 korrik deri kur është mandati i deputetëve, duhet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Referuar betejës së përfolur brenda partiake në LSDM mbi kandidatin për president, Kovaçevski hodhi poshtë zërat se tek socialdemokratët ka mosmarrëveshje lidhur me emrin e kandidatit dhe se Oliver Spasovski ka shprehur ambicie që përveç presidentit të bëhet edhe kryetar i LSDM-së. /Alsat.mk.