Kancelari gjerman Olaf Scholz mendon se është momenti për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëdimor me BE-në dhe ftoi Maqedoninë e Veriut të sjell vendimet e nevojshme për rrugën drejt BE-së.
“Tani është koha e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne si BE e morëm këtë detyrim në Selanik para 20 viteve”, tha Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin bullgar Nikollai Denkov në Berlin.
I pyetur nëse në takimin me Denkov kanë folur për Maqedoninë e Veriut dhe nëse ka angazhim shtesë nga Sofja në këtë temë, Scholz nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë, por rikujtoi premtimin e Selanikut dhe e ftoi Shkupin të miratojë vendimet e nevojshme.
“Prandaj është shumë e rëndësishme që ne tani ta çojmë atë proces përpara – kjo natyrisht përfshin Maqedoninë e Veriut, e cila tani mund të marrë vendimet e nevojshme – dhe ne të gjithë duam ta çojmë këtë proces përpara së bashku. Shpresoj që kjo të ndodhë edhe në bashkëpunim të ngushtë me Bullgarinë”, tha Scholz.