Mijëra denoncime kanë arritur në numrin 191 prej kur Inspektorati i tregut kërkon ndihmën e qytetarëve për të detektuar manipuluesit me çmimet e produkteve ushqimore, të cilat janë të ngrira pasi paraprakisht u ulën me 10%. Por, deri më tani janë mbyllur vetëm 15 markete dhe gjobitur nga 2-10 mijë euro për mosrespektim të masave për “çmime të garantuara”. Por, qytetarët thonë se nuk mjaftojnë vetëm masat restriktive, meqë sërish nuk është zgjidh problemi i shtrenjtimit të çmimeve të gjitha artikujve, të cilët rëndojnë buxhetin familjar. Sipas përllogaritjeve të autoriteteve ata mund të kursejnë 2,500 denarë nga ushqimi dhe pijet.
“Asgjë nuk ndjehet, i gjithë ky është paravan për t’u fshehur! Vetëm e mjegullojnë popullin. Nuk shkon kështu, ashiqare nuk shtyhet! Duhet shumë tepër të punohet, për fat të keq populli po e paguan këtë.”
“Çmimet janë katastrofë për të gjitha produktet, hyni në market një çmimi ka këtu, diku tjetër gjitha ndryshe askund nuk janë të njëjta. Në shitoret e vogla nëpër lagje çmimet i kanë katastrofë nuk ka ulje. Veç buka!
“Për mua është shtrenjtë se jam pensionist, 14 mijë denarë pension vetëm marr, për mua janë shtrenjtë. S’ka ndryshuar aspak, kurrgjë. Këtu çmimet e reja që i kanë ulur, si po të duken? Shumë pak, thuajse hiq”.
“Për me zbrit nuk e di çfarë do të bëhet por nga populli si i kanë kushtet. Dikush mundet ti përballoj, dikush jo. Unë po foli për të gjithë, jo për shembull vetëm për mua, çmimet janë shumë të shtrenjta.”
Që nga hyrja në fuqi e masës për ngrirjen e çmimeve, Inspektorati i tregut ka kryer mbi 550 kontrolle në territorin e gjithë Maqedonisë. Janë konstatuar parregullsi, për të cilat janë shqiptuar 32 gjoba prej mbi 6.330.000 denarë.
“Të gjitha subjektet ekonomike kanë mundësi të paguajnë urdhërpagesat e tyre ose të ushtrojnë të drejtën e tyre nëse kanë ankim në proces gjyqësor. Në seancat gjyqësore do të paraqiten inspektorët që kanë konstatuar shkelje te subjektet ekonomike, të cilët do të përfaqësojnë dhe mbrojnë ligjet sipas të cilave kanë konstatuar shkeljet”, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Nga Inspektorati i Tregut, komunikimi i fundit me opinionin ka qenë të dielën. Drejtori Goran Trajkovski nuk ka qasje në rrjet, i cili tha se është i detyruar të mbaj celularin mbyllur ngaqë vijnë intervenca pafund nga tregtarët, por shprehen stoik ndaj masave që kanë marrë dhe thonë se nuk do të ketë kompromis. /Alsat.mk