Milan Radoiçiq raportohet se është arrestuar sot në Beograd.
Kështu raporton mediumi N1.
Sipas këtij raportimi, Policia serbe kanë bastisur sot banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është ndaluar për 48 orë.
Ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.
Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.
Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.
Në anën tjetër, NATO-ja ka shtuar forcat në veri.