Karvani i krerëve më të lartë të ekzekutivit vazhdoi sot në njërën nga fabrikat e pijeve në Shkup. Kjo vizitë përkon me hyrjen në fuqi të vendimit për ulje dhe ngrirje të çmimeve të pijeve, me vendim të Qeverisë.
Uji i thjeshtë po shitet tre denarë më lirë, ngaqë gjysmë litri ishte 30 dhe tani me vendim të ri do të jetë 27 denarë. Në modelin e njëjtë me 10% më lirë do të shiten edhe gjitha pijet tjera joalkoolike, të gazuara dhe lëngjet e frutave, kurse nga pijet alkoolike dy lloje të birrave, por me përjashtim të pijeve energjetike. Analizat e Ministrisë së Ekonomisë tregojnë se vendimet për ngrirjen e produkteve ushqimore ndikuan në kursimin e qytetarëve, masë e cila do të shtoj kursimet edhe më tej pas vendimit për ngrirje të çmimeve të pijeve.
“Duke krahasuar çmimet e 1 Gushtit me ato të 20 Shtatorit, pothuajse çdo amvisëri në vendin tonë ka kursyer rreth 2,070 denarë nga gjithë ato produkte me çmime të ngrira nga Qeveria. Këtu nuk hynë pijet që sipas të dhënave tona do të arrijnë deri në 2,500 denarë kursim për çdo familje në shtetin tonë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se edhe sot ka pasur kontrolle intensive në rrjetet e mëdha të super marketeve dhe shitoreve të lagjeve. Nga ky organ inspektues thonë se nuk do të tolerojnë askënd që abuzon me çmimet në kurriz të qytetarëve. Marzha e fitimeve për muajin gusht kishte arritur 30%.
“Dënime do të ketë, do të rriten inspektimet edhe tek shitoret e vogla që shesin me pakicë, por edhe tek furnitorët të cilët shesin me shumicë. Nuk duam të ketë mungesë të mallit nëpër rafte. Nuk do të lejojmë as unë si drejtor dhe asnjë inspektor tjetër të hutohen qytetarët, flasim për kompani serioze që nuk guxojnë të bëjnë lëshime dhe të shkelin praktikat e ndershme, në atë rast nuk do të ketë kompromis”, tha Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Telashe të reja u dolën autoriteteve me tregtarët e fruta perimeve, të cilët i blejnë nga prodhuesit vendorë duke abuzuar me produktet e subvencionuara nga shteti, e të njëjtat i shesin jashtë shtetit më shtrenjtë. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se në periudhën korrik-shtator dukshëm është rritur eksporti i disa pemëve dhe perimeve, për të cilat shteti ka dhënë para për bujqit që të rrisin prodhimin vendor, ku 80% të tyre duhej të plasoheshin në tregun e brendshëm. Apeli i tyre është që të ndalojnë me këtë praktikë jo lojale ose përndryshe do të zbatojnë ndalesë për eksport, sikurse e bënë për vezën gjatë pranverës.
“Kemi informacione që fqinjët tanë, posaçërisht Serbia dhe në disa raste edhe Kosova bëjnë ‘dumping’ çmime më të ulëta se vlera reale, me qëllim që të jenë më konkurrues në tregun tonë, duke përfshirë këtu disa nga pijet joalkoolike dhe alkoolike, ne jemi të obliguar ti mbrojmë prodhuesit vendor, përmes së cilës nënkupton që do tu mbrojmë edhe konsumatorët tanë”, theksoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Analiza plotësuese po bëhen edhe për artikujt higjienik dhe lëndët kimike të pastërtisë që të ngrihen çmimet. Vendimet ekzistuese do të vazhdojnë deri më 30 nëntor me mundësi vazhdimi të afatit. /Alsat.mk