Kryeministri Dimitar Kovaçevski komentoi idenë e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në intervistë për TV21 tha se është i gatshëm që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garojë me një listë të përbashkët me të gjitha partitë politike shqiptare dhe LSDM-në, shkruan TV21. Kovaçevski idenë e Ahmetit për “Front Europian” e quajti “Koalicion për Maqedoni Europiane”, që sipas tij do të fitojë fillimisht zgjedhjet presidenciale, e më pas edhe ato parlamentare.
“Kjo është edhe ajo për të cilën e ka fjalën kryetari i BDI-së, z.Ahmeti. Rreth paraqitjes në zgjedhje, edhe unë e konfirmoj se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, për shkak se fillimisht janë zgjedhjet presidenciale, pastaj zgjedhjet parlamentare, kandidati i koalicionit europian, i konceptit dhe partitë politike që janë për integrim të RMV-së në BE, do të jetë kandidati fitues dhe do të zgjidhet për president në RMV, ndërsa më vonë në zgjedhjet parlamentare, koalicioni që është për Maqedoni europiane, gjithashtu do ta formojë Qeverinë e ardhshme në shtet. Rreth paraqitjes konkrete në zgjedhje, kjo mbetet të jetë pjesë e një marrëveshje të koalicionit, që bëhet në bazë të programit, në bazë të harmonizimit të koalicionit dhe në bazë të harmonizimit të sistemit të vlerave mes partnerëve të shumtë të koalicionit, megjithatë asnjë opsion nuk përjashtohet në atë pjesë”, tha Kovaçevski.