Gjykata ua cakton nga 30 ditë paraburgim serbëve të arrestuar për terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Dushan Maksimoviqit dhe Blagoje Spasojeviqit, të dyshuar për sulmin terroristë të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Dejan Vasiq, avokati i Dushan Maksimoviqit, tha para mediave se do të ankohen për këtë vendim, njofton Klankosova.tv

“Ne ndaj kësaj do të parashtrojmë ankesë, i kemi treguar gjykatës për disa fakte për të cilët konsiderojmë që janë irelevante dhe që tregojnë se bëhet fjalë për diçka që është më shumë keqkuptim se që do të mund të kishte lidhje me veprën penale”, deklaroi Vasiq.

Ai tutje shtoi se Maksimoviqi dje nuk ka qenë në gjendje që të jepte deklaratë dhe se pak ka qenë i shqetësuar për shkak të gjithë asaj që ka ndodhur, por që si avokat i tij do të kërkojë që ai të dëgjohet sa më parë, nëse është e mundur nesër.

Vasiq tutje shtoi se gjykimi është i mbyllur për publikun dhe se për detajet askush nuk është i autorizuar qe të flasë.

Pranë avokatit ishte edhe motra e të arrestuarit, Biljana Maksimoviq, e cila deklaroi se” absolutisht është e sigurt që hetimi do ta dëshmojë të vërtetën rreth rastit të vëllait të saj”.

Një ditë më parë, një masë e tillë i është caktuar edhe të dyshuarit të tretë për sulmin e së dielës, Vladimir Toliq.