Ngarkesat me grurë ukrainas mbërrijnë në Turqi

Një ngarkesë e dytë me grurë ukrainas mbërriti në Turqi të dielën, sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve, AFP.

Rusia kishte kërcënuar se do të sulmonte anijet që drejtoheshin për në Ukrainë ose niseshin nga ky vend.

Megjithatë, Ukraina po teston tani rrugët detare të kontrolluara nga anëtarët e NATO-s, Bullgaria dhe Rumania.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të shtunën se propozimet e fundit të OKB-së për të ringjallur marrëveshjen e Detit të Zi për grurin dhe plani i propozuar për paqen në Ukrainë, ishin të dyja “jo realiste”.
Sipas tij, Moska u largua nga marrëveshja e grurit sepse nuk ishin realizuar premtimet e bëra Rusisë, mes tyre heqja e sanksioneve ndaj një banke ruse dhe rilidhjen e saj me sistemin global SWIFT.

Ndërkohë, të dielën ministria Britanike e Mbrojtjes tha në njoftimin e përditshëm lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës se në Rusi konsumatorët ka gjasa të përballen me mungesë të benzinës dhe naftës.

Sipas ministrisë britanike, Rusia pezulloi pothuajse të gjitha eksportet e naftës dhe benzinës të enjten “për të stabilizuar tregjet e saj të brendshme”. Kjo lëvizje, sipas ministrisë, “pothuajse me siguri” do të kufizojë më tej furnizimet në nivel global./VOA