Osmani-Fidan: Shkëmbimi tregtar me Turqinë tejkaloi një miliard dollarë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka takuar Ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan. Takimi u realizua në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

Siç kumtoi MPJ-ja, Osmani shprehu kënaqësinë për nivelin e përgjithshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe u zotua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, në përputhje me Strategjinë për Forcimin e Marrëdhënieve Bilaterale, nga viti 2008.

“Përveç takimeve dhe dialogut të rregullt, interesi i të dyja vendeve është që të vazhdojë dinamika pozitive edhe në bashkëpunimin ekonomik. Është për t’u përshëndetur fakti që Turqia ishte partneri ynë i shtatë më i madh tregtar vitin e kaluar me një miliardë dollarë shkëmbim”, tha Osmani, duke theksuar rëndësinë që i kushtohet pranisë së kompanive dhe investimeve turke në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë bisedës u fol edhe për bashkëpunimin rajonal dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe OSBE-së- me të cilën kryeson Maqedonia e Veriut, si dhe sfidat aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe pasojat e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.