“Çmimet e garantuara” nxjerrin në terren inspektorët e tregut

Pikat e shitjeve me shumicë dhe pakicë sërish janë vënë në llupën e inspektimeve intensive. Për të mos mjaftuar Inspektorati Shtetëror i Tregut, në terren doli edhe vet ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai konstatoi se deri më tani nuk janë vërejtur shkelje të vendimit për ngrirje të çmimeve me gjithë ulje 10%. Por, ankesat e qytetarëve janë se në shitoret e vogla ku shitet pa kuponë fiskal vazhdojnë akoma çmimet e vjetra. Njësoj edhe nëpër tregjet e gjelbra, ku disa fruta-perime vazhdojnë të mbajnë çmimet e larta. Ministri Bekteshi iu bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e keqpërdorimeve të çmimeve, por edhe kur të ketë mungesë të produkteve ushqimore, që me vendim duhet të kenë së paku 70% të furnizimeve nga muaji gusht.

“Kishim koordinim plotësues me Inspektoratin e Tregut, ata dje pasdite kanë kryer kontroll dhe aktualisht po zbatohen kontrolle të ndryshme, të cilat do të vazhdojnë deri në fund të nëntorit. Ne nuk sjellim vendime për interesat personale të anëtarëve të caktuar në Odat ekonomike, ne sjellim vendime për qytetarët dhe sektorin e caktuar të tregtisë, që në këtë rast është industria ushqimore”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipërmarrësja e njërës nga rrjetet më të mëdha në vend Tanja Kamçeva tha se kjo masë ka ndikuar në uljen e fitimeve të super marketeve. Ajo iu sugjeron autoriteteve që në plan afatgjat të intervenohet në gjithë ekonominë për të mos u varur shumë nga tregjet e jashtme duke stimuluar prodhimet vendore.

“Përllogaritjet akoma nuk i kemi bërë, por gjithsesi që fitimi do të zvogëlohet. Megjithatë situata është e tillë që patjetër duhet të ballafaqohemi me momentin e vështirë të vendit tonë. Ne jetojmë e ekzistojmë ti ulim çmimet! Çdo çmim kur vendosim në rafte nga 99 në 100 denarë për neve është humbje e madhe. Përse tek ne çmimet janë më të larta? Për këtë duhet të bëhet analizë më e thellë dhe të zbatohen masa afatgjate në gjithë ekonominë që ne të jemi më efikas dhe të mos jemi të varur shumë nga lëvizjet jashtë”, tha Tanja Kamçeva, Sipërmarrëse.

Ankesat nuk ndalen as nga Odat ekonomike, të cilët kumtuan se këto masa kanë nxitur ekonominë joformale, që nënkupton shitjen në të zezë, pa u faturuar në shitjen me shumicë dhe pa u tatuar gjatë shitjes me pakicë. Reagimi zyrtar i autoriteteve ishte që para se të merren këto masa janë konsultuar përfaqësuesit e odave ekonomike ku 90% e propozimeve kanë ardhur nga vetë sipërmarrësit. Vendimet do të vlejë deri më 30 nëntor me mundësinë e vazhdimit të afatit dhe zgjerimit të gamës së produkteve. /Alsat.mk