Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot ka zhvilluar takim me ministrin francez të Tregtisë së Jashtme, Atraktivitetit dhe Diasporës franceze, Olivier Besht, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut.
Në takim, ministri Bekteshi, duke i uruar mirëseardhjen e ngrohtë kolegut Becht, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Qeveria franceze i jep vendit tonë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe integrimit të Maqedonisë së Veriut në Union.
Tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, si dhe aktivitetet që do të përmirësojnë bashkëpunimin në periudhën e ardhshme.
Ministri Bekteshi prezantoi mundësitë për investime në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ka theksuar se në vitet e ardhshme do të realizohen projekte të mëdha kapitale në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjetike, ku mund të aplikojnë kompanitë franceze me përvojë në fushat përkatëse që kanë realizuar projekte të tilla.
Të dy bashkëbiseduesit u dakordësuan se ka shumë hapësirë për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, para së gjithash në fushën e investimeve në energji, veçanërisht në burimet e rinovueshme të energjisë. Gjithashtu u pajtuan që në periudhën e ardhshme të organizohet një forum biznesi ndërmjet kompanive tona dhe atyre franceze për shkëmbimin e përvojave që do të hapë mundësi për investime të reja nga të dyja palët.