Kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski pati një takim të shkurtër me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të manifestimit për 50 vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, që u mbajt në selinë e Organizatës në New York.
Kovaçevski e uroi kancelarin Scholz për anëtarësimin jubilar të Gjermanisë në OKB dhe kontributin e madh të Republikës Federale të Gjermanisë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë, Evropës dhe botës.
Kryeministri falënderoi kancelarin për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të OKB-së, por edhe në baza dypalëshe në 30 vitet e fundit, gjë që evidenton Gjermaninë si një nga partnerët më të afërt europianë të RMV-së.
“Në takim u theksua se Gjermania pret që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian dhe rruga evropiane janë alternativa më e mirë dhe e vetme për vendin. Vendimi shtetëror që duhet të merret në periudhën e ardhshme është e vetmja mundësi për të siguruar cilësinë e jetës së qytetarëve të Maqedonisë sipas standardeve evropiane dhe për të arritur anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Përndryshe, siç vlerësohet, qytetarët dhe shteti maqedonas me siguri do të përballen me izolim afatgjatë, gjë që nuk është në interes të Maqedonisë së Veriut, rajonit dhe Evropës”, thonë nga kabineti i Kovaçevskit për takimin me kancelarin gjerman.