Tre ndeshjet e FC Struga Trim Lum për muajin shtator

Pas përfundimit të aventurës europiane tashmë e gjithë vëmendja jonë është përqëndruar në ndeshjet kampionale. Gjatë muajit shtator skuadra jonë do të zhvillojë tre ndeshje, edhe atë dy ndeshje si mysafir dhe një si vendas….

Bregallnica – Struga Trim Lum, 17 shtator

Të dielën që vjen Struga Trim Lum do të kërkojë fitoren e tretë sezonale, pas asaj të fundit kundër Tikveshit. Edhe përkundër lodhjes që ishte prezente në mesin e futbollistëve, pas gjithë atyre udhëtimeve në ndeshjet europiane, sidomos udhëtimit të fundit në Islandë, skuadra tregoi karakter, forcë dhe vetëbesim, duke tejkaluar edhe parashikimet e vetë trajnerit Shpëtim Duro.

3:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i takimit ndaj skuadrës nga Kavadari, ku edhe njëherë tjetër në nivel të detyrës doli të jetë dyshja Besart Ibraimi-Marjan Radeski.

Struga Trim Lum – Rabotniçki, 24 shtator

Vetëm një javë më vonë në Strugë do të mirëpresim Rabotniçkin, duke u rikthyer para publikut vendas pas plotë 20 ditëve. Ndeshja e vetme e këtij viti ndaj “romantikëve” u mbyll me fitoren e skuadrës tonë, ndërsa vlen të theksohet se viti 2022 ishte më i miri kur janë në pyetje ndeshjet ndaj këtij kundërshtari, kjo pas inga gjithsej 4 ndeshje, regjistruam 3 fitore dhe vetëm një barazim.

Shpresojmë një arritje të tillë të kemi edhe këtë vit ndaj skuadrës shkupjane, që të dielën që vjen në Shkup do të mirëpret ekipin e Voska Sport.

Voska Sport – Struga Trim Lum, 27 shtator

Pikërisht Voska Sport do të jetë kundërshtari ynë në ndeshjen e fundit që do ta zhvillojmë gjatë muajit shtator. Ndeshjen ndaj rivalit buzëliqenit do ta zhvillojmë me 27 shtator, dhe e njëjta i takon xhiros së katërt.

Kjo ndeshje duheshe të zhvillohet me 23 gusht, mirëpo për shkak paraqitjes së skuadrës tonë në garat europiane, e njëjta u shtye për në fund të muajit aktual.

Njëherit do të jetë kjo ndeshja e parë zyrtare që do ta zhvillojmë ndaj skuadrës rivale nga qyteti i Ohrit, që këtë edicion për herë të parë po luan në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

Edhe pse 27 shtatori është ditë pune, e mërkurë, kjo ndeshje pritet të jetë një festë për dy qytetet tona buzë liqenit.